Aksion i IPK-së dhe Prokurorisë në Prizren: Arrestohen katër persona, mes tyre një kolonel policor

04.08.2025

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka ndërmarrë sot një aksion të koordinuar që ka rezultuar me bastisjen e katër lokacioneve dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.

Aksioni është rezultat i një hetimi disa mujor të zhvilluar me profesionalizëm nga hetuesit e IPK-së, në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente.

Në mesin e të arrestuarve është edhe një zyrtar i lartë policor me gradën kolonel, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi, të përcaktuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktualisht, hetuesit e IPK-së dhe prokuroria janë duke vazhduar me veprime hetimore shtesë në terren, me qëllim të zbardhjes së plotë të çështjes dhe sigurimit të provave relevante.

Si pjesë e procedurës administrative, IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e kolonelit policor.

Institucionet e zbatimit të ligjit kanë theksuar përkushtimin për bashkëpunim ndërinstitucional dhe vendosmërinë për të luftuar çdo formë të krimit, përfshirë edhe atë të kryer nga zyrtarë publik.