Transparenca e Komunës së Suharekës gjatë vitit 2020, flasin nga opozita

30.12.2020

Qasja në Dokumente Publike në Kosovë parashihet me ligj. Ky ligj i jep të drejtën secilit person pa dallim mbi çfarëdo baze që të ketë qasje në çfarëdo dokumenti. Neni 2 i Ligjit për Qasjen në Dokumente Publike pika një (1) thotë ”Ky ligj zbatohet për të gjitha dokumentet publike që prodhohen, pranohen, mbahen, apo […]

Transparenca e Komunës së Suharekës gjatë vitit 2020, flasin nga opozita

Qasja në Dokumente Publike në Kosovë parashihet me ligj. Ky ligj i jep të drejtën secilit person pa dallim mbi çfarëdo baze që të ketë qasje në çfarëdo dokumenti.

Neni 2 i Ligjit për Qasjen në Dokumente Publike pika një (1) thotë ”Ky ligj zbatohet për të gjitha dokumentet publike që prodhohen, pranohen, mbahen, apo kontrollohen nga institucionet publike, përveç në rastet kur kufizohet ndryshe me legjislacionin në fuqi”.

Qasje në Dokumente Publike për çështje të ndyshme më së shumti kërkojnë asambleistët dhe përfaqësuesit politik.

Por sa ka qenë transparente Komuna e Suharekës gjatë vitit 2020?

Aktivisti i Lëvizjës Vetëvendosje, Arbër Kabashi për SuharekaOnline ka thënë se gjatë vitit 2020 Komuna e Suharekës ka qenë pjesërisht transparente, duke filluar nga mbledhjet e Kuvendit Komunal të cilat përpos që janë me cilësi të dobët të zërimit ato nuk transmetohen nëpër mediat lokale, por vetëm në YOUTUBE.

Arbër Kabashi

Gjithashtu, Kabashi thotë se shumë nga dokumentet publike të cilat kanë rëndësi të madhe nuk publikohen në web-faqen e Komunës së Suharekës, ku përfshihen: Vendimet e kryetarit dhe të drejtorive të komunës.

Kabashi tregon se LVV dega në Suharekë gjatë vitit 2020 ka bërë mbi 50 kërkesa për qasje në dokumente zyrtare, ku thekson se kërkesat kanë qenë saktësisht për Drejtorinë e Shërbimeve Publike, e që komuna ka qenë e obliguar të iu lejojë qasje në ato dokumente. Ai tutje thotë që për dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me zyrën e prokurorimit të gjitha dokumentet janë në platformën elektronike E-prokurorimi.

Së fundmi LVV ka reaguar në lidhje me cilësinë e fidaneve të arrës që janë dhuruar nga Komuna për disa fermerë, ku kanë kërkuar qasje në dokumente publike të cilat do e dëshmonin që fidanet e dhuruara janë me të njëjtat specifika që shkruajnë në kontratë dhe theksojnë që aktualisht janë në pritje të përgjigjes nga Drejtoria e Bujqësisë.

Arbër Kabashi thotë se Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Inspeksionit përveç emrit, mbiemrit dhe fotografisë së drejtorave, nuk kanë asnjë informacion shtesë.

”Nëse bazohemi tek Web-faqja e Komunës asnjëra nga Drejtoritë nuk publikon asgjë për publikun, madje Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe e Inspeksionit pos fotografisë dhe emrit të drejtorit nuk kanë asgjë tjetër” tha ai.

Aktivisti i LVV-së në Suharekë, Arbër Kabashi e ka vlerësuar pozitivisht aktivitetin e zyrtarit të zyrës së arkivës, Haxhi Mamaj.

Ndërsa, përfaqësuesi i asambleistëve të Partisë Demokratike dega në Suharekë, Jeton Rrakaqi transparencën e Komunës së Suharekës për vitin 2020 e ka vlerësuar mirë, ani pse nuk kanë marrë përgjigjje gjithmonë nga drejtoritë të cilave u kanë kërkuar qasje në dokumente publike.

Jeton Rrakaqi

Rrakaqi thekson se PDK dega në Suharekë gjatë këtij viti ka paraqitur rreth 10 kërkesa për qasje në dokumente zyrtare ku edhe thekson se në bazë të kërkesave të tyre Drejtoria e Bujqësisë ka qenë më transparente nga drejtoritë tjera.

Gjithashtu edhe Asambleisiti i pavarur, Bashkim Ndrecaj transparencën e Komunës së Suharekës për vitin 2020 e ka vlerësuar jo të kënaqshme, ku thotë se ajo kishte munguar në publikimin e tenderëve, në punësime dhe në informimin e opinionit publik në lidhje me zhvillimin e projekteve të premtuara.

Ndrecaj ka njoftuar se gjatë vitit 2020 në Asamblenë e Kuvendit Komunal ka bërë 6 kërkesa për çështje të ndryshme duke theksuar se gjatë këtij viti nuk ka pasur asnjë kërkesë për qasje në dokumentet zyrtare.

”Gjatë vitit 2020 kam paraqitur mbi gjashtë kërkesa për tema të ndryshme si trajtimi i ujërave të zeza dhe atmosferik si dhe rregullimi i infrastruktures rrugore si dhe kërkesa për pakon mbështetëse finaciare për lehtësimin e bizneseve për humbjet gjatë kohës së pandemisë” tha ai për SuharekaOnline.

Bashkim Ndrecaj

Bashkim Ndrecaj tutje ka theksuar se gjatë këtij viti ka trajtuar çështje të cilat kanë të bëjnë me Drejtorinë e Kulturës Rinsë dhe Sportit, Drejtorinë e Bujqësisë dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike të cilat në bazë të kërkesave të tij të gjitha këto drejtori kanë qenë transparente.

SuharekaOnline ka dërguar pyetje edhe në adresë të asambleistit të LDK-së Nexhat Ramadani dhe atij të pavarur Dugagjin Palushi, por deri në momentin e publikimit nuk kanë kthyer përgjigje.

Përgatiti: Eurolinda Zenelaj

Etiketat