Bedri Hamza jep dorëheqje të parevokueshme nga drejtimi i PDK-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka njoftuar sot Kryesinë e partisë për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga pozita e kryetarit.
Hamza ka bërë të ditur se ky vendim synon t’i hapë rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda PDK-së, ku anëtarësia do të vendosë për udhëheqjen e ardhshme të partisë.
Ai ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së gjeneratave të reja në strukturat drejtuese, duke u dhënë mundësi të marrin më shumë përgjegjësi.
Duke folur për angazhimin e tij politik që nga viti 2020, Hamza tha se përgjegjësitë e marra, përfshirë kandidimin për kryetar të Mitrovicës, tri kandidaturat për kryeministër dhe udhëheqjen e PDK-së, kanë qenë rezultat i përgjegjësisë ndaj partisë dhe vendit, e jo i ambicieve personale.
Megjithatë, ai ka sqaruar se dorëheqja nga pozita e kryetarit nuk nënkupton largimin e tij nga PDK-ja.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, deklaroi Hamza.
Gjatë fjalimit të tij, Hamza foli edhe për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke shprehur zhgënjimin e tij dhe duke theksuar se përpjekjet për drejtësi do të vazhdojnë.
Në fund, ai falënderoi anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së për besimin dhe përkrahjen, duke theksuar se interesi i partisë dhe i Kosovës duhet të qëndrojë mbi interesat personale.
“Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, përfundoi Hamza.
