‘Muharremaj përballë qytetarëve’ – raporton për punën e vitit 2025 dhe prezanton planin për 2026

08.12.2025

Komuna e Suharekës ka njoftuar se më 22 dhjetor 2025, do të mbahet Takimi i Dytë Publik, ku Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, do të raportojë para qytetarëve për punën e realizuar gjatë periudhës janar–dhjetor 2025, si dhe do të prezantojë aktivitetet dhe projektet e planifikuara për vitin 2026.

Takimi do të zhvillohet në sallën e Kuvendit të Komunës (tek parku i qytetit), duke filluar nga ora 11:00.

Komuna fton të gjithë qytetarët, organizatat joqeveritare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe palë të tjera të interesuara që të marrin pjesë në këtë takim, i cili synon transparencë më të madhe dhe përfshirje të komunitetit në proceset vendimmarrëse.

Ky takim vjetor paraqet një mundësi të rëndësishme që banorët e Suharekës të informohen drejtpërdrejt mbi projektet, investimet, sfidat dhe realizimet e komunës, si dhe të parashtrojnë pyetje, shqetësime apo sugjerime që lidhen me zhvillimin e qytetit.

Komuna thekson se pjesëmarrja e qytetarëve është thelbësore për përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e dialogut mes institucioneve lokale dhe komunitetit.