Kurti në Samitin e Procesit të Berlinit: Kërkon statusin e kandidatit për Kosovën dhe anëtarësimin në NATO
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të marrë vendim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, duke i dhënë vendit statusin e kandidatit dhe duke hapur negociatat për anëtarësim.
Në fjalimin e tij në seancën plenare të Samitit XIII të Procesit të Berlinit, Kurti theksoi se aplikimi i Kosovës, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, ende është në pritje të një vendimi nga BE-ja.
Ai deklaroi se Kosova i ka përmbushur përgjegjësitë e saj dhe se vlerësimet e pavarura e rendisin ndër vendet me përparimin më të madh demokratik në Evropën Juglindore. Kurti përmendi gjithashtu përafrimin e politikës së jashtme të Kosovës me atë të BE-së, përfshirë zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.
Gjatë fjalimit, kryeministri foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, integrimit gradual në Tregun e Vetëm Evropian dhe zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit.
Kurti dënoi sulmet ndaj sigurisë dhe infrastrukturës kritike të Kosovës, duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, si dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë. Ai theksoi se sulmet ndaj një demokracie evropiane duhet të marrin përgjigje kolektive dhe se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të kontribuonte në parandalimin e kërcënimeve të tilla.
Në pjesën e fundit të fjalimit, Kurti ngriti çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke paralajmëruar për përjashtimin e tyre gradual nga institucionet dhe jeta publike.
Ai bëri thirrje që të drejtat e pakicave, demokracia dhe dinjiteti njerëzor të trajtohen si çështje të përbashkëta në kuadër të Procesit të Berlinit.
