Komuna e Suharekës rrit mbështetjen për familjet strehuese, nga 150 në 350 euro në muaj
Komuna e Suharekës ka marrë vendim për rritjen e mbështetjes financiare për familjet strehuese që kujdesen për fëmijët pa përkujdesje prindërore.
Sipas vendimit të nënshkruar nga kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, subvencioni mujor për këto familje do të rritet nga 150 në 350 euro për secilin fëmijë, me qëllim të përmirësimit të kushteve të përkujdesjes dhe mirëqenies së tyre.
Vendimi është marrë me kërkesë të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, e cila do të jetë përgjegjëse edhe për realizimin e pagesave.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, më 1 nëntor 2026, shfuqizohet vendimi i mëparshëm i vitit 2024.
Kjo masë synon të mbështesë familjet që marrin përsipër kujdesin ndaj fëmijëve pa përkujdesje prindërore, duke u ofruar atyre një mjedis të sigurt dhe familjar për rritje e zhvillim.
