Inspektorati për Trashëgimi Kulturore inspekton Tumën Ilire të Gjinocit në Suharekë
Inspektorati për Trashëgimi Kulturore ka realizuar një vizitë inspektuese në Tumën Ilire të Gjinocit, një nga asetet e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje ligjore në Komunën e Suharekës.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Kulturë, Rini, Sport dhe Mërgatë, vizita është zhvilluar në kuadër të planit vjetor të punës, me qëllim mbikëqyrjen e gjendjes së këtij aseti arkeologjik dhe vlerësimin e respektimit të masave ligjore për mbrojtjen dhe ruajtjen e tij.
Nga kjo drejtori kanë theksuar se mbeten të përkushtuar ndaj bashkëpunimit me institucionet kompetente për të siguruar mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në territorin e komunës.
Po ashtu, është ritheksuar rëndësia e ruajtjes së aseteve historike dhe arkeologjike, duke e cilësuar këtë si përgjegjësi institucionale dhe detyrim ndaj brezave të ardhshëm.
Tuma Ilire e Gjinocit është pjesë e trashëgimisë arkeologjike të Suharekës dhe gëzon mbrojtje ligjore.
