Suhareka dështoi ta përmbushë kuotën ligjore për inspektim të pronave, inspektohen vetëm 10.5% e objekteve
Nga gjithsej 17,777 objekte të regjistruara në territorin e Komunës së Suharekës, gjatë vitit 2024 janë inspektuar vetëm 1,868 prej tyre – apo vetëm 10.5%, përkundër faktit që ligji kërkon që çdo vit të inspektohet të paktën 20% e pronave.
Foto: Ilustrim
Këto të dhëna janë bërë publike në raportin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), e cila thekson se mosinspektimi në përqindjen e kërkuar rrezikon të çojë në vlerësime të pasakta tatimore për qytetarët – si në ngarkesa të mbivlerësuara, ashtu edhe në nënvlerësime.
Sipas raportit të ZKA-së, përkundër planifikimit fillestar që të inspektoheshin 3,555 objekte, në terren janë realizuar më pak se gjysma e këtij objektivi. Zyrtari përgjegjës për tatimin në pronë në Komunë ka konfirmuar se ky dështim i planit është pasojë e mungesës së stafit adekuat, sfidave në marrjen e të dhënave nga pronarët, si dhe mungesës së qasjes në internet në terren, që e bën të pamundur verifikimin digjital të pronave.
ZKA i referohet Nenit 15, Paragrafi 2 i Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, ku thuhet qartë se:
“Veprimtaritë inspektuese kryhen çdo vit për të paktën njëzet për qind (20%) të të gjitha objekteve brenda territorit të Komunës dhe vetëm kur është e nevojshme për parcelat.”
Gjithashtu, ligji parasheh që komunat mund të angazhojnë edhe inspektorë privatë për t’u ndihmuar në realizimin e kësaj detyre.
Për këtë mospërmbushje, ZKA ka rekomanduar që:
Kryetari i Komunës duhet të sigurojë arritjen e verifikimit të 20% të pronave të paluajtshme, në mënyrë që ndryshimet eventuale të pronave të integrohen në bazën e të dhënave për të reflektuar detyrimin e saktë tatimor.
Menaxhmenti i Komunës së Suharekës është pajtuar me gjetjen dhe rekomandimet e Auditorit.
Ky dështim nuk është i izoluar. Ngjashëm, edhe Komuna e Klinës, nga gjithsej 15,299 objekte të regjistruara, kishte arritur të inspektojë vetëm 1,516 prej tyre – që përfaqëson afër 10% të totalit, edhe kjo shumë më pak se kuota minimale prej 20% e kërkuar me ligj.
ZKA ka bërë thirrje që komunat të marrin masa konkrete për të përmirësuar këtë proces dhe për të shmangur pasojat e vlerësimeve të pasakta tatimore për qytetarët.