Qytetari nga Suhareka u dënua se ishte pa maskë në veturë, Policia shfuqizon vendimin

26.11.2020

Pasi ishte gjobitur nga zyrtarët policorë për shkak të mosmbajtjes së maskës kundër COVID-19, gjatë qëndrimit të tij i vetëm në veturë, Besim Kodra nga Suhareka e kishte kundërshtuar këtë gjobë. Kundërshtimi i qytetarit u vlerësua si i bazuar nga ana e komisionit brenda Policisë së Kosovës, i cili vendosi që qytetarit t’i hiqet dënimi. […]

Qytetari nga Suhareka u dënua se ishte pa maskë në veturë, Policia shfuqizon vendimin Foto: Ilustrim

Pasi ishte gjobitur nga zyrtarët policorë për shkak të mosmbajtjes së maskës kundër COVID-19, gjatë qëndrimit të tij i vetëm në veturë, Besim Kodra nga Suhareka e kishte kundërshtuar këtë gjobë.

Kundërshtimi i qytetarit u vlerësua si i bazuar nga ana e komisionit brenda Policisë së Kosovës, i cili vendosi që qytetarit t’i hiqet dënimi.

Këtë e ka bërë të ditur Kodra përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, të mërkurën.

Në bazë të vendimit të PK-së, është shfuqizuar vendimi i kundërshtuar i datës 26 tetor 2020, i marrë nga zyrtarët policorë.

Krahas kësaj, janë urdhëruar njësia e stacionit policor veriu në Prizren që ta anulojë fletëparaqitjen.

“Një komision brenda Policisë së Kosovës ka aprovuar KUNDËRSHTIMIN tim ndaj dënimit për mos-vendosje të maskës në veturë. Kjo për arsye se kam qenë vetëm në veturë dhe nuk kam pasur obligim mbajtjen e maskës! Ashtu siç e kam cekur edhe në postimin e më hershëm … Nuk mund të ketë kundërvajtje nëse nuk rrezikohet objekti i mbrojtur juridik, në këtë rast njeriu”, ka shkruar Kodra.

Kujtojmë se Besim Kodra i cili aktualisht mban pozitën e menaxherit të programeve Shoqatës për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve është edhe anëtarë i bordit Këshilldhënës në luftën anti-COVID të themeluar nga ministri Armend Zemaj.