Vjosa Osmani prezanton Visar Xani dhe Besim Kodra si pjesë të rrugëtimit të saj politik
Ish Presidentja Vjosa Osmani ka prezantuar dy emra të rinj që i janë bashkuar rrugëtimit të saj politik, Visar Xani dhe Besim Kodra, duke i cilësuar si profesionistë me integritet dhe përkushtim ndaj interesit publik.
Foto: Ilustrim
Për Visar Xanin, Osmani tha se për më shumë se 18 vjet ai ka qenë i lidhur ngushtë me fjalën publike, fillimisht si gazetar dhe analist politik, e më pas në institucione dhe organizata ndërkombëtare.
Ajo vlerësoi kontributin e tij në reforma, komunikim institucional dhe formimin profesional të zyrtarëve publikë, sidomos në rolin si Koordinator Nacional i RESPA-s për Kosovën.
Ndërkaq, për Besim Kodrën, Osmani theksoi angazhimin e tij shumëvjeçar në mbrojtjen e të drejtave të pacientëve dhe kontributin në politikat shëndetësore.
Sipas saj, përmes Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), Kodra ka qenë zë i fuqishëm për pacientët dhe qytetarët, ndërsa tani synon ta vazhdojë këtë mision edhe në Kuvendin e Kosovës.
Osmani u shpreh e bindur se të dy do të jenë zëra të rëndësishëm në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik.
