Qytetarët ankohen për shtrenjtimin e barnave, kërkohet zbritja e atyre nga lista esenciale

13.08.2022

Rritja e çmimeve të barnave ka prekur xhepin e qytetarit, e për këtë po kërkohet më shumë vëmendje nga ana e Qeverisë së Kosovës. Besim Kodra, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve ka kërkuar që qytetarëve t’u mundësohet t’i blejnë barnat nga lista esenciale me zbritje. “Sikurse çdo produkt tjetër me […]

Qytetarët ankohen për shtrenjtimin e barnave, kërkohet zbritja e atyre nga lista esenciale Foto: Ilustrim

Rritja e çmimeve të barnave ka prekur xhepin e qytetarit, e për këtë po kërkohet më shumë vëmendje nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Besim Kodra, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve ka kërkuar që qytetarëve t’u mundësohet t’i blejnë barnat nga lista esenciale me zbritje.

“Sikurse çdo produkt tjetër me rritjen e çmimit të energjisë dhe të derivateve të naftës padyshim që edhe barnat janë rritur dhe kjo ka prekur edhe shportën e qytetarit për shkak se secila familje do të duhet të blejë barna”.

Kodra tha se Qeveria duhet të ketë vëmendje më të madhe për të parë sesi mund të dilet nga kjo gjendje dhe se pacienti t’i ketë barnat nga lista esenciale dhe sa më pak të ketë nevojë që nga xhepi t’i blejë barnat.

“Kjo mendoj se do të duhej ta kishte vëmendjen e Qeverisë për të parë sesi mund të dilet nga kjo gjendje dhe pacienti t’i ketë barnat nga lista esenciale dhe sa më pak të ketë nevojë që nga xhepi t’i blejë barnat. Disa që raportohen nga pacientet kemi rritje”, tha Kodra për EkonomiaOnline.

Ndërsa për ankesat e pacientëve, Kodra tha se janë të shumta dhe kanë të bëjnë me mungesë të barnave e kushteve esenciale.

“Ankesat e pacientëve janë shumë dimensionale që kanë të bëjnë me mungesë të barnave të kushteve. Fatkeqësia qëndron se ankesat nuk po merren parasysh për shkak se nuk ka mekanizma të qartë që pacienti mund të parashtrojë ankesë dhe të merr përgjigje në një afat sa më të shkurtër”.

“…kjo i dekurajon pacientët për tu ankuar dhe në raste të caktuara edhe njerëzit i marrin drejtësitë në duart e veta duke sjellë konflikte me stafin shëndetësor”.

Përderisa qytetarët thonë se çmimet aktuale janë të papërballueshme, duke kërkuar që të ketë ngritje pagash.

Islam Gjyshinca thotë se dallojnë çmimet nga barnatorja në barnatore dhe se barnat që ai i përdor për tension janë rritur për mbi 1 euro.

“Barnat po rriten edhe po ka dallim barnatore prej barnatoreve. Këto tensionit ishin rrit 1 euro e diçka më shumë. Pensioner kom punuar 40 vjet”.

 Besim Sylevica nga Podujeva tha se në përgjithësi ka ngritje të çmimit të barnave.

“Në përgjithësi ka ngritje të çmimit të barnave. Me shëndet jam mirë por kam dëgjuar që ka ngritje të çmimit të barnave”. 

Vesel Veseli thotë se çmimi i barnave është ngritur në mënyre drastike.

“Barnat janë rritur në mënyre drastike a njerëzit nuk kanë buxhet si ti blejnë me pensione sepse janë të ulëta. Barnat elementare janë rritur. S’ki ku bon ankesë. Ministria vetë duhet të jetë e vetëdijshme”, tha ai për EO.

Ndërsa, një mërgimtar nga Gjermania theksoi se rritja e çmimit të barnave po ndodh si pasojë e krizës globale.

“Në të gjitha anët çmimet e barnave janë rritur sepse është krizë globale”.