Pushimi dimëror në Suharekë nis më 26 dhjetor – Bajselmani u uron festat nxënësve dhe mësimdhënësve
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka publikuar datat e pushimit dimëror për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë, sipas Kalendarit Zyrtar të Vitit Shkollor 2025/2026.
Foto: Ilustrim
Sipas këtij kalendari, pushimi dimëror do të fillojë më 26 dhjetor 2025 dhe do të zgjasë deri më 7 janar 2026, shkruan SuharekaOnline.
Gjatë kësaj periudhe, procesi mësimor do të ndërpritet për shkak të festave të fundvitit, duke u dhënë nxënësve dhe mësimdhënësve mundësinë për t’u rikuperuar, për të kaluar kohë me familjen dhe për të përgatitur energji për gjysmëvjetorin e dytë shkollor që fillon në janar.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani, ka bërë të ditur se edhe shkollat e kësaj komune do të i përmbahen këtij kalendari. Ai u ka uruar nxënësve dhe mësimdhënësve një pushim të mbushur me gëzim dhe qetësi, e poashtu i ka uruar ata për festat e fundvitit.
“Pushimi dimëror për të gjitha shkollat e Komunës së Suharekës, do të filloj ashtu siç e ka planifikuar MASHT, pra me 26 dhjetor deri me 7 janar 2026. Uroj që ky pushim të jetë i mbushur me gëzim dhe qetësi për të gjithë nxënësit dhe mesimdhënësit e komunës sonë, të cilëve iu duhet për t’u përgatitur me energji për sfidat e reja shkollore që na presin në vitin e ri. Ju uroj shëndet, lumturi dhe suksese në çdo hap të rrugëtimit mësimor,” tha drejtori Bajselmani, duke shtuar një mesazh motivues për të rinjtë dhe mësuesit e Suharekës.
Pushimi dimëror është një mundësi e mirë për nxënësit që të relaksohen, të lexojnë për kënaqësi, të krijojnë kujtime festive dhe të kthehen në shkollë me energji të rinovuar për të përballuar pjesën e mbetur të vitit shkollor me sukses.