Provimi i Maturës mbahet të shtunën, mbi 4,900 kandidatë të aprovuar
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se këtë të shtunë, më 29 gusht 2026, do të mbahet Provimi i Maturës, ku do të marrin pjesë 4,967 kandidatë.
Sipas njoftimit, përmes platformës eKosova kanë aplikuar gjithsej 5,033 kandidatë, ndërsa pas shqyrtimit dhe verifikimit janë aprovuar 4,967 aplikime.
Provimi do të zhvillohet duke filluar nga ora 10:00, në gjithsej 55 qendra të testimit.
Ministria ka bërë të ditur se të gjithë komisionarët dhe administruesit duhet të jenë të pranishëm në qendrat përkatëse një orë para fillimit të provimit, me qëllim të sigurimit të organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit.
Ndërkaq, kandidatët duhet të paraqiten në qendrën e testimit të përcaktuar në listat përfundimtare dhe të kenë me vete dokumentin përkatës të identifikimit.
Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të respektojnë udhëzimet dhe rregullat e përcaktuara, në mënyrë që procesi të zhvillohet në mënyrë të rregullt, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë kandidatët.
