Nesër pritet të fillojë vaksinimi i personave mbi 85 vjeç, QKMF e Suharekës ende nuk është furnizuar me vaksina

Nesër pritet të fillojë vaksinimi i personave mbi 85 vjeç, QKMF e Suharekës ende nuk është furnizuar me vaksina
Herolind Bytyçi

08.04.2021 / Suhareka

Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për media, të mërkurën ka bërë të ditur se të enjten fillon vaksinimi i qytetarëve të moshës mbi 85 vjeç në disa komuna të Kosovës.

Ndërsa sipas njoftimit për komunat tjera ku bënë pjesë edhe Komuna e Suharekës vaksinimi i personave mbi 85 vjeç do të bëhet në datat 9-10 prill.

Gjatë ditës së enjte SuharekaOnline ka kontaktuar me drejtoreshën e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Suharekës, Besa Kuqi për të pyetur se a do të fillojë vaksinimi sipas orarit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas drejtoreshës QKMF e Suharekës ende nuk është furnizuar me vaksina për të filluar këtë proces, përjashtuar këtu 110 dozat e para për personelin shëndetësor.

“E kemi parë njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë por për momentin nuk jemi furnizuar me vaksina e as nuk na kanë njoftuar që do të na furnizojnë, mirëpo besoj që ditëve në vijim do të na njoftojnë” ka thënë ajo.

Lidhur me këtë SuharekaOnline gjithashtu ka tentuar disa herë të marr përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë por Zyra për Mardhënie me Publikun deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka kthyer përgjigje.

RAPORTO