Mbahet seanca kundër dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

13.07.2021

Më 20 prill Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve në Komunën e Suharekës të pandehurve Jehona Rrafshi dhe Hafir Maliqaj nën dyshimin e bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ashtu siç edhe kemi paralajmëruar më 8 qershor të këtij viti ishte mbajtur […]

Mbahet seanca kundër dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare Foto: Ilustrim

Më 20 prill Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve në Komunën e Suharekës të pandehurve Jehona Rrafshi dhe Hafir Maliqaj nën dyshimin e bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ashtu siç edhe kemi paralajmëruar më 8 qershor të këtij viti ishte mbajtur seanca fillestare ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës të akuzuar për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjatë kësaj seance pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm dhe kishin mohuar pretendimet e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore.

Në një prononcim për SuharekaOnline zyrtari për informim në Gjykatën Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, kishte bërë të ditur se seanca tjetër ishte caktuar për ditën e sotme (13 korrik), ku deri me këtë datë palët kanë pasur të drejtë të bëjnë kërkesë për kundërshtim të aktakuzës dhe hudhjen e saj.

Ndërsa sot në seancën ndaj drejtoreshës së Inspeksionit si dhe inspektorit të Komunës së Suharekës, të cilët nga ana e Prokurorisë po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mbrojtësit kanë kundërshtuar provat e aktakuzës dhe kërkuan nga gjykata që aktakuza në fjalë të hudhet si e pabazuar.

Jehona Rrafshi- Lumi, nga Prokuroria po akuzohet se në cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Suharekës, nuk kishte rrënuar në tërësi objektin afarist të ndërtuar pa leje.

Kurse, Hafir Maliqajn, Prokuroria po ashtu po e akuzon se ndonëse në cilësinë e inspektorit të ndërtimtarisë, Maliqaj nuk i kishte ndërmarrë masat ligjore për pengimin e rindërtimit të dy objekteve afariste në Suharekë.

Mbrojtësit e të akuzuarve, Hajrip Krasniqi dhe Fatmir Jëlliqi në shqyrtimin e sotëm para kryetares së trupit gjykues, Teuta Krusha, elaboruan kundërshtimin e provave të aktakuzës.

Kështu, mbrojtësi i të pandehurës Jehona Rrafshi Lumi, Hajrip Krasniqi deklaroi se kishte paraqitur në afatin ligjor kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, dhe kërkoi nga gjykata që kërkesën e Prokurorisë ta hedhë si të pabazuar, pasi që nga provat që janë nxjerrë në hetime, e mbrojtura e tij nuk e kishte kryer veprën për të cilën akuzohet.

Kurse, mbrojtësi i të pandehurit Hafir Maliqaj, Fatmir Jëlliqi konsideroi se për të mbrojturin e tij, aktakuza nuk mbështetet në prova relevante materiale andaj kërkoi që aktakuza të hudhet si e pabazuar.

Në lidhje me kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, përfaqësuesi i Prokurorisë, Metush Biraj, konstatoi se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtësve pasi që gjatë hetimeve provat janë marrë në mënyrë të ligjshme si dhe ka rezultuar dyshimi i bazuar se të pandehurit e lartcekur, kanë kryer veprat për të cilat po akuzohen.

Sa i përket kundërshtimit të provave, kryetarja e trupit gjykues me vendim të veçantë do të vendosë lidhur me këtë kundërshtim.

Ndryshe sipas aktakuzës, J. Rr.-L. në cilësinë e Drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Suharekës, jashtë kompetencave të saj, nxjerrë Konkluzionin 09 Nr.109, të dt. 26.05.2020 dhe pastaj me dt. 29.05.2020, në vendngjarje, në parcelat kadastrale të të dëmtuarës “AgroKosova-Holding”, në lagjen Shirokë të Suharekës, udhëheq me procedurën dhe në kundërshtim me frymën e Konkluzionit nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të investitorit B. G., të ndërtuar pa leje dhe kësi soji i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat të dëmtuarës.

Ndërsa i akuzuari H. M. në cilësinë e inspektorit të ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Suharekës, nuk ndërmerr masa ligjore për pengimin e rindërtimit pa leje të objektit afarist i ndërtuar nga investitori B. G. në pronën e të dëmtuarës “AgroKosova–Holding”, në lagjen Shirokë të Suharekës, duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një Urdhër-ekzekutimi të lëshuar nga Drejtoresha e Drejtorisë së Inspeksionit, pasi kishte përfunduar tashmë ndërtimi, me këto veprime të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm material ose i ka shkelur të drejtat e saja.

Poashtu, H. M. akuzohet se nuk ka vepruar sipas Urdhrit të lëshuar nga vetë ai, që obligonte investitorin Xh. R., pronar i objektit afarist–montazh “Viva Fresh”, në fsh. Reshtan-Komuna e Suharekës të pajisej me leje ndërtimi në afat prej 15 ditësh, duke mos e penguar të njëjtin ta vazhdojë ndërtimin e mëtutjeshëm,  poashtu del me vonesë në vend të ngjarjes, nuk vepron sipas procedurës për rrëzimin e ndërtimit pa leje, por sërish i jep afat shtesë investitorit, kësaj here më të gjatë se 30 ditë, që të pajiset me leje ndërtimi, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës”, njofton Prokuroria.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës, që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.