Prokuroria ngre aktakuzë ndaj katër zyrtarëve komunalë dhe dy biznesmenëve në Suharekë
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, katër prej tyre zyrtarë komunalë dhe dy pronarë të operatorëve ekonomikë, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik lidhur me disa projekte të ndërtimit të rrugëve lokale në Komunën e Suharekës.
Foto: Ilustrim
Sipas aktakuzës, zyrtarët komunalë D.M., A.K., E.SH. dhe I.H. akuzohen se kanë miratuar punime dhe kanë lejuar pagesa edhe pse disa rrugë nuk ishin ndërtuar fare. Prokuroria pretendon se me këto veprime operatorëve ekonomikë u është mundësuar përfitim i kundërligjshëm prej mbi 15 mijë eurosh, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material.
Në të njëjtën çështje, XH.K. dhe A.S., si persona përgjegjës të operatorëve ekonomikë, akuzohen se kanë paraqitur dokumentacion sikur punimet ishin realizuar plotësisht, ndonëse një pjesë e tyre nuk ishte kryer, duke përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme.
Prokuroria ka kërkuar që, pas zhvillimit të procesit gjyqësor, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ndaj zyrtarëve të kërkohet edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në shërbimin publik.
