Aktakuzë ndaj dy personave për fajde, njëri dyshohet se përfitoi mbi 400 mijë euro nga kamatat
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, E.K. dhe A.K., nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të fajdesë dhe detyrimit.
Sipas aktakuzës, i pandehuri E.K., nga viti 2021 e në vazhdimësi, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., i kishte dhënë shuma të ndryshme parash, duke kërkuar përfitime dukshëm joproporcionale. Vetëm nga kamatat, sipas Prokurorisë, ai dyshohet se kishte përfituar mbi 400 mijë euro.
Po ashtu, E.K. dyshohet se përmes kërcënimeve serioze e kishte detyruar viktimën të paguante kamatat dhe të mos e denonconte rastin në polici, duke e kërcënuar me vrasje të tij dhe të familjarëve.
Në këtë marrëdhënie më pas ishte përfshirë edhe viktima e dytë, B.B., i cili kishte marrë para nga të pandehurit për ta ndihmuar viktimën e parë në shlyerjen e borxhit.
Megjithatë, për shkak të kamatave të grumbulluara, dy të pandehurit i kishin kërkuar shumën prej 550 mijë eurosh.
Sipas Prokurorisë, gjatë bisedimeve, E.K. i kishte kërkuar viktimës 450 mijë euro në emër të kamatave, duke kërkuar që t’i kalonin në pronësi lokalet afariste dhe shtëpia, me vlerë rreth një milion euro.
Më 11 mars 2026, kur viktima, së bashku me nënën e tij, kishte shkuar fillimisht në zyrën e përmbaruesit privat dhe më pas për të vazhduar procedurat noteriale për kalimin e pronës, policia kishte ndërhyrë dhe kishte arrestuar të dyshuarit, si rezultat i masave të veçanta hetimore.
Ndërkohë, lidhur me këtë rast, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për veprën penale të pastrimit të parave. Janë ngrirë disa patundshmëri, ndërsa është propozuar konfiskimi i parave të gatshme, dy automjeteve, dokumenteve noteriale dhe provave të tjera materiale.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
