Indeksi i transparencës, Suhareka shënon progres për 7 vende

15.08.2023

Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2022”. Ky raport paraqet vlerësimin e shtatë të Institutit GAP mbi transparencën buxhetore të komunave në Kosovë. Vlerësimi bëhet duke u bazuar në numrin e dokumenteve buxhetore të publikuara, organizimin e dëgjimeve buxhetore me qytetarë, si dhe përgjigjeve të komunave në kërkesat e […]

Indeksi i transparencës, Suhareka shënon progres për 7 vende Foto: Ilustrim

Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2022”. Ky raport paraqet vlerësimin e shtatë të Institutit GAP mbi transparencën buxhetore të komunave në Kosovë. Vlerësimi bëhet duke u bazuar në numrin e dokumenteve buxhetore të publikuara, organizimin e dëgjimeve buxhetore me qytetarë, si dhe përgjigjeve të komunave në kërkesat e Institutit GAP për qasje në dokumente publike.

Në vitin 2022, transparenca buxhetore e komunave ishte në nivelin më të lartë që nga publikimi i parë i indeksit, me një mesatare prej 62.8 pikësh. Nga gjithsej 100 pikë të vlerësimit, 28 komuna (73.7%) kanë arritur të kenë më shumë se 50 pikë. Maksimumin e pikëve të indeksit prej 100 pikë për vitin 2022 e kanë arritur shtatë komuna: Drenasi, Klina, Lipjani, Mitrovica e Jugut, Prizreni, Rahoveci dhe Skënderaj.

Si rezultat i rritjes së numrit të dokumenteve buxhetore të publikuara, dëgjimeve buxhetore të mbajtura dhe përmirësimit të formatit të publikimit të dokumenteve, 25 komuna kanë shënuar progres në vlerësimin me pikë, katër komuna kanë shënuar regres, ndërsa komunat e tjera kanë pikë të njëjta sikur vitin e kaluar. Progresin më të madh me pikë në indeksin e vitit 2022 e kanë shënuar Komuna e Skënderajit (+42.5 pikë), Prizrenit (+32.5 pikë), Vushtrrisë (+31.5 pikë), Podujevës (+30 pikë) dhe e Klinës (+30 pikë). Ndërsa, regresin më të madh në renditje për vitin 2022 e ka shënuar Kaçaniku (-14 pozita), Obiliqi (-10 pozita), Graçanica (-10 pozita),  Gjilani (-9 pozita) dhe Malisheva (-8 pozita).

Gjatë vitit 2022, së bashku komunat kanë publikuar 258 dokumente buxhetore. Nga 38 komuna, vetëm 15 prej tyre i kanë publikuar të gjitha dokumentet buxhetore që obligohen t’i publikojnë sipas Udhëzimit administrativ të MAPL-së për transparencë buxhetore në komuna. Në anën tjetër, komunat kanë shënuar progres të madh në publikimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, ku gjithsej 22 komuna (dhjetë më shumë sesa vitin e kaluar) e kanë publikuar në ueb-faqet e tyre apo e kanë dërguar përmes kërkesës këtë dokument të rëndësishëm buxhetor.

Sipas GAP Komuna e Suharekës në indeksin për transparencë buxhetore 2022, me 85 pikë të fituara bën pjesë në kuartilin e mesëm të lartë që në indeks marrin 70.5 pikë apo më shumë, duke u renditur kështu si komuna e 11-të më transparente në Kosovë. Kjo komunë në ueb-faqen zyrtare të saj në formatin ‘Excel/Word’ ka të publikuar raportet financiare (TM1, TM2 dhe TM3), raportin vjetor financiar, buxhetin e planifikuar për vitin 2023, si dhe kornizën afatmesme buxhetore. Në formatin ‘dokument i skanuar’, Komuna e Suharekës ka të publikar rregulloren për ndarjen e subvencioneve, si dhe kontratat e nënshkruara për vitin 2022. Në anën tjetër përmes kërkesës kjo komunë ka dërguar edhe listën e përfituesve të subvencioneve për vitin 2022 dhe kartelen analitike të kontos. Përveç kësaj, përmes kërkesës Komuna e Suharekës ka dërguar përmes emailit edhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor tek i cili paraqitet numri i të punësuarve, përfituesve të subvencioneve, si dhe shpërndarja e subvencioneve në vlera monetare mes burrave dhe grave. Kjo komunë, në faqen e saj zyrtare, ka njoftuar për mbajtjen e së paku katër dëgjimeve buxhetore me qytetarët për buxhetin e vitit 2023 dhe është përgjigjur në kërkesën për qasje në dokumente zyrtare nga Institituti GAP.