FSHF përgenjeshtron lajmin: Tifozët nga Kosova nuk janë të përjashtuar nga ndeshja Shqipëri-Serbi
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka reaguar me një deklaratë zyrtare për media, duke përgënjeshtruar kategorikisht një lajm të publikuar nga një media online me bazë në Zvicër.
Lajmi i pavërtetë pretendonte se tifozët shqiptarë nga Kosova ishin të përjashtuar nga ndeshja e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila do të luhet më 7 qershor në stadiumin “Arena Kombëtare”.
FSHF e ka cilësuar këtë informacion si “krejtësisht të pavërtetë dhe abuziv” dhe ka njoftuar se i ka dërguar një komunikim zyrtar medias në fjalë, duke pritur një përgjigje zyrtare.
Në deklaratë, FSHF sqaron se procesi i shitjes së biletave për këtë ndeshje do të jetë transparent dhe i hapur për të gjithë tifozët, pa asnjë formë diskriminimi apo përjashtimi.
Federata njofton se aplikimi për bileta do të fillojë më 15 maj dhe do të bëhet përmes një formulari elektronik të publikuar në faqen zyrtare të FSHF-së. Afati i aplikimit do të jetë dy javë, dhe në fund të muajit maj do të zhvillohet një short kompjuterik për të përzgjedhur tifozët që do të kenë të drejtën të blejnë biletat. Të gjithë të përzgjedhurit do të njoftohen përmes emailit.
FSHF thekson angazhimin e saj për një organizim dinjitoz të ndeshjes dhe u bën thirrje të gjithë tifozëve shqiptarë, kudo që ndodhen, të ndjekin me besim komunikimet zyrtare të Federatës dhe të mos bien pre e lajmeve të rreme.