Inflacioni në Zvicër arrin në 1.5%, nivelin më të lartë që nga dhjetori i vitit 2023
Inflacioni në Zvicër është rritur në 1.5% gjatë muajit tetor 2026, nga 1% sa ishte në shtator, duke shënuar nivelin më të lartë në vend që nga dhjetori i vitit 2023.
Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), rritja e inflacionit ka tejkaluar pritshmëritë e ekonomistëve, të cilët kishin parashikuar një normë prej 1.1% deri në 1.4%.
Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë rritje është shtrenjtimi i produkteve të naftës. Gjatë tetorit, çmimet e tyre ishin rreth 40% më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja është vërejtur veçanërisht te nafta për ngrohje, benzina dhe dizeli, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e konsumit.
Ndërkaq, krahasuar me muajin shtator, çmimet e konsumit në Zvicër janë rritur për 0.2%, ndërsa indeksi kombëtar i çmimeve ka arritur në 101.7 pikë.
Pavarësisht rritjes, inflacioni bazë, i cili nuk përfshin energjinë, karburantet dhe produktet e freskëta e sezonale, ka mbetur i pandryshuar në 0.5%.
Megjithatë, inflacioni vazhdon të jetë brenda kufirit prej 0% deri në 2%, të cilin Banka Kombëtare e Zvicrës e konsideron në përputhje me stabilitetin e çmimeve.
Kujtojmë se në fillim të vitit 2026, inflacioni në Zvicër ishte afër zeros, ndërsa mesatarja vjetore për vitin 2025 ishte vetëm 0.2%.
