Dallgë të mëdha në Vlorë, ngrihet flamuri i kuq në disa plazhe
Erërat e forta dhe dallgët e mëdha kanë përfshirë gjatë së dielës disa plazhe të Vlorës, duke detyruar qindra pushues të largohen nga uji për shkak të rrezikut.
Foto: Ilustrim
Si pasojë e përkeqësimit të kushteve detare, rojet bregdetare kanë ngritur flamurin e kuq dhe kanë ndaluar hyrjen në det. Pushuesve dhe turistëve u është bërë thirrje të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e rojeve, pasi dallgët e fuqishme dhe rrymat detare mund të paraqesin rrezik për jetën.
Autoritetet kanë apeluar që të shmangen noti dhe aktivitetet në det deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.
Ndërkohë, largimi i pushuesve nga plazhet ka shkaktuar edhe radhë të gjata automjetesh në aksin nga Zvërneci në drejtim të qytetit të Vlorës.
