Zjarret në Shqipëri, 4 vatra ende aktive – situata më e rënduar në Malin e Dajtit
Katër vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në Shqipëri, ndërsa dy të tjera janë nën mbikëqyrje, pas 26 vatrave të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Foto: Ilustrim
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për përballimin e situatës janë angazhuar gjithsej 315 forca operacionale dhe 25 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje të operacioneve janë përdorur edhe katër helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura.Situata më problematike paraqitet në Malin e Dajtit, në drejtim të Qafë-Priskës, ku zjarri është riaktivizuar dhe ka shënuar zgjerim. Operacioni në këtë zonë po vijon me 15 zjarrfikës, nëntë forca të AdZM-së dhe 20 efektivë të FA-së.
Vatra aktive raportohen edhe në qarkun e Dibrës, në Qafë të Helmës, Vajkal dhe Sllatinë.
Në Vajkal janë angazhuar 38 forca të MZSH-së/bashkisë dhe 30 efektivë të FA-së, ndërsa në Sllatinë operojnë 91 forca. Sipas autoriteteve, zjarri në Sllatinë nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Elbasan, zjarret në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për banorët.Gjatë natës është regjistruar edhe një tërmet me magnitudë 4.7, me epiqendër në njësinë administrative Vergo të bashkisë Delvinë. Autoritetet bëjnë të ditur se nuk janë raportuar dëme në njerëz apo infrastrukturë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e Shqipërisë, ndërsa strukturat operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
