Zv.ministri Durmishi uron qytetarët e Suharekës për fillimin e ndërtimit të Digës së Dragaçinës dhe Impiantit të Trajtimit të Ujit

18.04.2024

Sot është prezantuar Studimi i Fizibilitetit, para zyrtareve të MMPHI-së dhe qytetarëve të Komunës së Suharekës, me ç’rast kompania implementuese gjatë dëgjimit publik me qytetarët ka prezentuar të gjitha të gjeturat për këtë projekt vital për qytetarët.

Zv.ministri Durmishi uron qytetarët e Suharekës për fillimin e ndërtimit të Digës së Dragaçinës dhe Impiantit të Trajtimit të Ujit Foto: Ilustrim

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka uruar të gjithë qytetarët e Suharekës për një fillim të mbarë të Ndërtimit të Digës së Dragaçinës dhe Impiantit të Trajtimit të Ujit.

Diga e Liqenit të Dragaçinës në Therandë, në vlerë investive prej rreth 40 milionë euro, e volum total të rezervuarit për nivelin normal te operimit prej 13.1 milionë m3, tashmë drejt realizimit.

“Gjatë ditëve në vijim, pas inkorporimit të komenteve, do të dorëzohet projekti në Ministri, për të vazhduar më tej me hartimin e projektit kryesor dhe dizajnit. Kjo digë është njëra nga 5 digat e reja që po punohet me intenzitet të lartë, dhe është investim i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës” ka shkruar në urimin e tij zv.ministri Durmishi.

Ndryshe studimi i fizibilitetit dhe i vlerësimit të ndikimit social mjedisor për ndërtimin e Digës së Dragaçinës dhe Impiantit të Trajtimit të Ujit kishte filluar në qershor të vitit të kaluar.