Komuna e Suharekës shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta

para 41 dite

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta, Komuna e Suharekës organizoi një aktivitet të veçantë për të njohur dhe për të vlerësuar kontributin e kësaj kategorie të shoqërisë.

Komuna e Suharekës shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta

Në këtë takim u morën pjesë personalitete të shquara të komunës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe një numër i madh i personave me aftësi të kufizuara.

Kryetari i komunës, z. Bali Muharremaj, theksoi rëndësinë e inkluzionit të personave me aftësi të kufizuara në të gjitha aspektet e jetës. “Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi progresin që kemi arritur dhe për të vendosur qëllime më ambicioze për të ardhmen. Komuna jonë është e vendosur të krijojë një ambient më të përfshirës dhe të barabartë për të gjithë qytetarët”, u shpreh kryetari Muharremaj.

Në këtë aktivitet të veçantë, një vëmendje e veçantë iu kushtua talenteve të personave me aftësi të kufizuara. Grupi i femrave me aftësi të kufizuara, me përkrahjen e Fondacionit Golden Eagle Freesia, prezantuan punime artizanale dhe piktura të mrekullueshme. Pranvera Musaj u shpërblye për pjesëmarrjen e saj në ekspozitë, ndërsa Valbona Krasniqi u vlerësua për pikturat më të mira.

Nënkryetarja e komunës, znj. Mihrije Berisha Suka, së bashku me disa nga asambleistët dhe zyrtarët për barazi gjinore, shprehën admirimin e tyre për punën dhe përkushtimin e personave me aftësi të kufizuara. Po ashtu, u falënderuan përkrahësit e këtij aktiviteti, sidomos Fondacionin Golden Eagle Freesia dhe organizatën Handikos Suharekë.

Etiketat

Ofertat e fundit