QKUK siguron furnizim të qëndrueshëm me tretje fiziologjike, 75 mijë copë të reja në dispozicion
Barnatorja Qendrore e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka marrë një sasi shtesë prej 75 mijë copë tretje fiziologjike, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm për klinikat dhe spitalet rajonale.
Dardane Mehaj, shefe e sektorit për furnizim me barna dhe material medicinal në QKUK-SHSKUK, ka konfirmuar se furnizimi i ri do të mbulojë nevojat e institucioneve shëndetësore. Ajo ka shpjeguar se gjatë muajve janar dhe shkurt 2025, janë siguruar mbi 70 mijë copë tretje fiziologjike, duke mundësuar shpërndarjen e rregullt nëpër klinika dhe spitale.
“Këto ditë ka qenë aktuale mungesa e tretjeve fiziologjike në Barnatoret Qendrore. Barnatorja Qendrore e QKUK-së është përgjegjëse për furnizimin e spitaleve edhe klinikave tona. Përgjegjësia e furnizimit ne e kemi për Qendrën Klinike Universitare që janë gjithsej 36 klinika edhe shtatë spitale rajonale. Pastaj kemi edhe qendrat e shëndetit mendor se nganjëherë ngatërrohet cila është përgjegjësia e furnizimit të Barnatores Qendrore QKUK-SHSKUK”, ka thënë Mehaj.
Ajo ka theksuar se furnizimi i vazhdueshëm ka siguruar qëndrueshmëri, pavarësisht sfidave të ndryshme. “Janari i viti 2025 neve na ka gjetur me një sasi të konsiderueshëm të tretjeve fiziologjike diku mbi 54 mijë copë dhe gjatë shkurtit jemi furnizuar edhe me një sasi shtesë mbi 16 mijë copë të cilat i kemi shpërndarë në menyrë racionale”, ka shtuar Mehaj.
Sipas saj, situata është stabilizuar dhe sasia e re pritet të mbulojë nevojat e klinikave dhe spitaleve rajonale. “Jemi munduar që të racionalizojmë këtë produkt përderisa ka qenë mungesë edhe në tregun privat, mirëpo furnizime kemi pasur, gjithmonë ekziston edhe shkëputja e zingjirit furnizues. Shpresoj që edhe me furnizimi që erdh ditën e djeshme, po e theksoi janë diku mbi 75 mijë copë besoj që do të kemi një stabilizim të qëndrueshëm”, ka përfunduar ajo.