IKShPK: 164 raste me fruth në Kosovë, mbi 95% e të prekurve janë të pavaksinuar

14.09.2026

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit, duke e cilësuar vaksinimin si masën më të rëndësishme dhe të sigurt për mbrojtjen e fëmijëve dhe komunitetit.

Sipas të dhënave të IKShPK-së, nga 16 prilli deri më 13 shtator 2026 janë konfirmuar gjithsej 164 raste me fruth, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar edhe 6 raste të reja.

IKShPK thekson se mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara me fruth janë te persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, duke nënvizuar rëndësinë e vaksinimit në parandalimin dhe përhapjen e sëmundjes.

Përveç vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, institucionet shëndetësore kanë intensifikuar edhe vaksinimin e vonuar, i njohur si “catch-up”, për fëmijët që për arsye të ndryshme nuk janë vaksinuar në kohën e paraparë.

Gjatë këtij viti, përmes vaksinimit “catch-up” janë vaksinuar mbi 2,794 fëmijë të grup-moshës 2–5 vjeç.

IKShPK ka vlerësuar angazhimin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve për rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim dhe mbrojtjen e fëmijëve nga fruthi.

Instituti rikujton se vaksinimi i rregullt dhe vaksinimi “catch-up” kontribuojnë në rritjen e numrit të fëmijëve të mbrojtur dhe në ndërprerjen e përhapjes së fruthit.