IKShPK: 180 raste me fruth në Kosovë, mbi 95% e të prekurve ishin të pavaksinuar
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve, duke theksuar se vaksinimi mbetet masa më e rëndësishme për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit të komunitetit.
Foto: Ilustrim
Sipas të dhënave të IKShPK-së, nga 16 prilli deri më 27 shtator 2026 janë konfirmuar gjithsej 180 raste me fruth në Kosovë, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar tetë raste të reja.
IKShPK njofton se mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara me fruth u përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.
Përveç vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, instituti ka intensifikuar edhe vaksinimin e vonuar (catch-up) për fëmijët që, për arsye të ndryshme, nuk janë vaksinuar me kohë.
Si rezultat i kësaj fushate, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3 mijë e 176 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç.
IKShPK ka vlerësuar kontributin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve në rritjen e shkallës së vaksinimit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të kujdesen për vaksinimin me kohë të fëmijëve.
“Vaksinimi i rregullt + catch-up = më shumë fëmijë të mbrojtur!”, thuhet në komunikatën e IKShPK-së.
