IKShPK: 158 raste me fruth, mbi 95% e të prekurve janë të pavaksinuar
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit, duke e cilësuar vaksinimin si masën më të rëndësishme dhe të sigurt për mbrojtjen e fëmijëve dhe komunitetit.
Foto: Ilustrim
Sipas të dhënave të IKShPK-së, nga 16 prilli deri më 6 shtator 2026 janë konfirmuar gjithsej 158 raste me fruth, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 7 raste të reja.
IKShPK thekson se mbi 95% e rasteve të konfirmuara janë te persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, çka, sipas institutit, dëshmon rëndësinë e vaksinimit në parandalimin dhe përhapjen e sëmundjes.
Krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit, është intensifikuar edhe vaksinimi i vonuar, i njohur si “catch-up”, për fëmijët që për arsye të ndryshme nuk janë vaksinuar në kohën e paraparë.
Gjatë këtij viti, përmes vaksinimit catch-up janë vaksinuar mbi 2,700 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç.IKShPK ka vlerësuar pozitivisht angazhimin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve për rritjen e përfshirjes në vaksinim.
