203 raste me fruth në Kosovë, IKShPK bën thirrje për vaksinimin e fëmijëve

12.10.2026

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 11 tetor 2026, në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 203 raste me fruth, prej të cilave 17 janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit.

Sipas IKShPK-së, mbi 95% e rasteve të konfirmuara janë persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit në parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje.

Përveç vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, IKShPK ka intensifikuar edhe fushatën e vaksinimit të vonuar (catch-up), e cila u dedikohet fëmijëve që për arsye të ndryshme nuk janë vaksinuar në kohën e paraparë.

Si rezultat i kësaj fushate, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,265 fëmijë të grupmoshës 2 deri në 5 vjeç.

Instituti ka vlerësuar angazhimin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve në rritjen e shkallës së vaksinimit, duke rikujtuar se vaksinimi mbetet masa më e sigurt dhe më efikase për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe komunitetit.

“Çdo fëmijë i vaksinuar është një jetë më shumë e mbrojtur dhe një hap më afër ndërprerjes definitive të përhapjes së fruthit”, thuhet në komunikatën e IKShPK-së.

Instituti u ka bërë thirrje prindërve që të respektojnë kalendarin e rregullt të vaksinimit dhe të sigurohen që fëmijët e tyre të marrin edhe vaksinat e vonuara.