Fruthi në rritje në Kosovë, 99 raste të konfirmuara – 21 vetëm gjatë javës së fundit

03.08.2026

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për një rritje të rasteve të fruthit në Kosovë. Sipas të dhënave për periudhën 16 prill deri më 3 gusht 2026, janë konfirmuar gjithsej 99 raste, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja.

Numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë me 33 raste, e pasuar nga Fushë-Kosova me 25, Ferizaj me 12 dhe Kaçaniku me 7 raste. Raste janë raportuar edhe në disa komuna të tjera të Kosovës.

IKShPK thekson se numri i rasteve është më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin konfirmuar 65 raste. Ndërkohë, gjatë viteve 2021–2024 në Kosovë ishin regjistruar vetëm tri raste me fruth, të gjitha të importuara.

Instituti u bën thirrje qytetarëve që, në rast të simptomave të dyshimta si temperaturë e lartë, skuqje të lëkurës, kollë, rrufë apo konjuktivit, të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.

IKShPK veçanërisht u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit.

Vaksinimi mbetet masa më efektive për parandalimin e fruthit dhe kufizimin e përhapjes së tij në komunitet.