69 raste me fruth në Kosovë, gjashtë raste të reja të raportuara gjatë javës së fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 69 raste me fruth, gjatë periudhës nga 16 prilli deri më 20 korrik 2026.
Foto: Ilustrim
Sipas IKShPK-së, vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar gjashtë raste të reja me fruth.
Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë, me 21 raste, ndërsa Ferizaj dhe Fushë-Kosova kanë nga 12 raste. Në Kaçanik janë raportuar shtatë raste, në Lipjan tre raste, ndërsa Vushtrria, Shtimja, Drenasi dhe Obiliqi nga dy raste.
Nga një rast me fruth është raportuar edhe në komunat Podujevë, Gjilan, Deçan, Skënderaj, Shtërpcë dhe Viti.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta të fruthit, si temperatura e lartë, skuqjet apo ndryshimet në lëkurë, kolla, rrufa ose konjuktiviti, të paraqiten menjëherë në institucionin më të afërt shëndetësor.
Duke marrë parasysh shkallën e lartë të infektueshmërisë së fruthit dhe rrezikun e përhapjes në komunitet, IKShPK u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë vaksinimin e tyre sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit.
Sipas Institutit, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.
