Aktakuzë naj dy personave për tentativë vrasjeje në Prizren – Konflikti nisi në një furrë buke
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy personave, lidhur me një ngjarje të rëndë që kishte ndodhur më 24 mars 2024 në këtë qytet.
Sipas aktakuzës, i pandehuri E.K. akuzohet për kryerjen e veprës penale “Vrasje në tentativë”, ndërsa B.H. akuzohet për “Dhënien e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ngjarja kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit, rreth 02:40 të datës 24 mars 2024, kur të pandehurit ishin përfshirë në një përleshje me të dëmtuarin I.B., fillimisht në një furrë buke në rrugën “Rifat Ukimeri”, si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme. Pasi ndërhyrja e pronarit të furrës dhe e të pandehurit të dytë B.H. e kishte qetësuar situatën dhe të përfshirët ishin nxjerrë jashtë lokalit, konflikti kishte vazhduar më vonë.
Të dy të pandehurit ishin larguar me veturën e tyre në drejtim të rrugës “Gazmend Zajmi”, ku ishin ndjekur nga i dëmtuari I.B. Pas një ndërprerjeje në udhëkryq, E.K. kishte dalë nga automjeti dhe kishte goditur me mjet të mprehtë – thikë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit.
Pas sulmit, të pandehurit ishin larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e tyre. Prokuroria e akuzon B.H. se ka ndihmuar në shmangien e zbulimit dhe arrestimit të autorit kryesor, duke e transportuar E.K.-në në drejtim të shtëpisë së tij, menjëherë pas incidentit.
Në aktakuzë, Prokurori i çështjes ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë dhe të dënohen në përputhje me legjislacionin penal në fuqi.