120 euro për një votë – Prokuroria e Prizrenit ngre aktakuzë ndaj dy personave në Vraniq

20.11.2025

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy personave, Y.Rr. dhe B.K., të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në një rast ryshfeti të lidhur me procesin e votimit.

Aktakuza është ngritur mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, e paraparë nga neni 212 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 12 tetor 2025, në fshatin Budakovë të Komunës së Suharekës. I pandehuri Y.Rr. dyshohet se i ka ofruar 120 euro të pandehurit B.K., me qëllim që ky i fundit të votojë për një kandidate të caktuar për Asamblenë Komunale. Për të siguruar verifikimin e votës, Y.Rr. dyshohet se i ka kërkuar B.K.-së të tregojë telefonin pas votimit, dhe më pas i ka dorëzuar shumën e premtuar në formë shpërblimi.

Ndërkohë, i pandehuri B.K. akuzohet se ka pranuar këtë përfitim të pa merituar me qëllim të ndikuar në votimin e tij, duke u bërë pjesë e veprës penale.

Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale për të cilën akuzohen.

Rasti thekson edhe një herë përkushtimin e institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo formë të ndikimit të paligjshëm në proceset zgjedhore në vend.