Aktakuzë ndaj tre personave dhe një kompanie për tenderin 385 mijë euro të “Ekoregjionit”

10.09.2026

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave dhe një kompanie, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, mashtrim në prokurim publik dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të datës 10 shtator 2026, të akuzuar janë B.Sh., A.G. dhe R.Z., si dhe kompania SH.P.K. “D.C & E”.B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Ekoregjioni”, dhe zyrtari A.G. dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat e tyre gjatë procedurës së tenderimit për projektin “Furnizimi me kamionë kompaktorë dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Ekoregjioni’”, me vlerë prej 385 mijë e 500 euro.

Sipas aktakuzës, veprimet dyshohet se janë ndërmarrë me qëllim që tenderi t’i jepej kompanisë “D.C & E”, në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik.

Prokuroria pretendon se si pasojë e këtyre veprimeve, KRM “Ekoregjioni” është dëmtuar në vlerë prej 233 mijë e 685 euro e 37 centë.

Ndërkohë, R.Z. akuzohet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik. Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se kishte paguar shpenzimet e një udhëtimi jashtë Kosovës për B.Sh. dhe A.G., me qëllim të koordinimit të veprimeve dhe ndikimit në procesin e dhënies së tenderit.

Në aktakuzë pretendohet gjithashtu se specifikat teknike të tenderit ishin përshtatur paraprakisht në kuadër të një marrëveshjeje të kundërligjshme.

Të akuzuarit përballen me procedurë gjyqësore, ndërsa vlefshmëria e pretendimeve të Prokurorisë do të përcaktohet nga gjykata.