Aktakuzë ndaj katër personave për keqpërdorim të detyrës, ndërtim pa leje dhe tejkalim të lejes ndërtimore në Suharekë
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërtim pa leje dhe punime ndërtimore të kundërligjshme.
Sipas Prokurorisë, H.M. dhe A.D. dyshohen për bashkëkryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa N.B. dyshohet për “Ndërtim pa leje” dhe A.H. për “Punime ndërtimore të kundërligjshme”.
Rasti lidhet me parregullsi gjatë mbikëqyrjes dhe realizimit të punimeve ndërtimore në një objekt në Komunën e Suharekës, për të cilin ishte lëshuar leje ndërtimore.
Sipas aktakuzës, H.M., në cilësinë e Inspektorit të Ndërtimtarisë, dhe A.D., si Drejtor i Inspekcioneve në Komunën e Suharekës, nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme pas konstatimit të parregullsive në objekt.
Prokuroria pretendon se, edhe pse investitori ishte urdhëruar t’i ndërpriste punimet dhe të pajisej me leje ndërtimore, kontrolli i mëtejshëm nuk ishte kryer brenda afatit të përcaktuar. Po ashtu, gjatë një inspektimi të mëvonshëm, gjendja e objektit, sipas aktakuzës, nuk ishte pasqyruar në mënyrë reale dhe nuk ishin evidentuar të gjitha tejkalimet nga leja ndërtimore.
Ndërkohë, investitori N.B. dyshohet se objektin e ka ndërtuar në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit. Për objektin ishte lejuar etazhiteti B+P+2, ndërsa sipas aktakuzës ai është realizuar me B+P+3. Po ashtu, pretendohet se janë tejkaluar vijat ndërtimore për rreth 730 metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar.
Sipas Prokurorisë, këto tejkalime i kanë mundësuar investitorit përfitim në vlerë prej rreth 716 mijë euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm financiar në vlerën e taksave të papaguara.
Në këtë rast është përfshirë edhe A.H., pronar i kompanisë ndërtimore “B.P.”, e cila, sipas aktakuzës, ka realizuar projektimin dhe punimet ndërtimore në objekt. Ai dyshohet se ka kryer punime në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit.
