Zgjedhjet në Kosovë kalojnë të qeta – Policia: Asnjë incident serioz
Procesi zgjedhor në Kosovë ka kaluar pa incidente serioze dhe është vlerësuar i qetë në aspektin e sigurisë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate zyrtare.
Sipas tyre, plani operacional i hartuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve është realizuar me sukses në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Plani policor kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Policia thekson se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe zbatimi rigoroz i masave të parapara kanë ndikuar pozitivisht që procesi të zhvillohet pa pengesa të mëdha.
Si pjesë e këtij plani, një nga qëllimet ka qenë ndjekja e çfarëdo veprimi që bie ndesh me të drejtën e votës. Në këtë kuadër, janë iniciuar dy raste për “Cenim të fshehtësisë së votimit”, një në fshatin Bare (Mitrovicë e Jugut) dhe një në Kllokot (në rajonin e Gjilanit). Ndërkohë, në njëmbëdhjetë raste të dyshimeve për “fotografim të votës”, prokurorët kompetentë kanë vendosur që të mbesin si ‘shënime zyrtare’.
Personat e përfshirë në këto raste janë shoqëruar në stacionet policore dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt, me autorizim të prokurorëve përkatës.
Policia ka sqaruar gjithashtu se incidenti i ndodhur në Komoran, ku një veturë ishte dëmtuar nga të shtënat me armë zjarri dhe ishin shoqëruar dy persona për intervistim, nuk ka lidhje me zgjedhjet. Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.
Gjithashtu, janë trajtuar rreth 10 informacione të natyrave të ndryshme që lidhen me procesin zgjedhor, të cilat janë vlerësuar se nuk përbëjnë vepra penale dhe janë regjistruar vetëm si informacione.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët, institucionet dhe mediat për bashkëpunimin e treguar, duke theksuar se suksesi i realizimit të planit policor është rezultat i këtij bashkëpunimi, si dhe i angazhimit të zyrtarëve policorë dhe kulturës demokratike të qytetarëve të Kosovës.