Suharekë: rrëmbim, rrahje dhe kanosje ndaj një 25-vjeçari dhe një 16-vjeçare
Një rast i rëndë i privimit të kundërligjshëm nga liria, rrahjes dhe kanosjes është zbuluar në Suharekë, ku tre persona dyshohet se kanë rrëmbyer dhe sulmuar fizikisht një 25-vjeçar, ndërsa viktimë në rast është edhe një vajzë e mitur 16-vjeçare.
Foto: Ilustrim
Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur për Sinjalin se të arrestuar janë F.P. (35 vjeç), A.A. (28 vjeç) dhe L.E. (32 vjeç).
Sipas informatave, ngjarja kishte ndodhur më 29 prill 2026 rreth orës 21:30 në fshatin Duhel të Suharekës, por rasti nuk ishte raportuar menjëherë në Polici për shkak të frikës dhe kërcënimeve që viktimat dyshohet se kishin marrë nga të dyshuarit.
Hetimet kanë nisur më 15 maj, pasi Policia ka pranuar informacion lidhur me rastin. Gjatë veprimeve operative janë siguruar video-incizime, fotografi të lëndimeve dhe raporte mjekësore.
Sipas deklarimit të viktimës L.S. (25 vjeç), ai ishte ftuar në një takim nga të dyshuarit, por sapo ishte takuar me ta ishte sulmuar fizikisht me kondak të revoles, shufër metalike dhe grushte.
Më pas, ai dyshohet se ishte futur me forcë në veturë dhe ishte dërguar në kafiterinë “Mondi” në fshatin Duhel, ku punonte edhe viktima tjetër, V.A. (16 vjeç).
Burimet thonë se aty viktimave u ishte kërkuar “llogari” lidhur me raportet mes tyre, ndërsa e mitura dyshohet se ishte goditur edhe me shuplakë, gjë që sipas hetuesve shihet edhe në video-incizime.
Gjatë bastisjeve të realizuara më 16 maj, në koordinim me Prokurorin kujdestar, në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve janë gjetur pranga me mbishkrimin “Police”, ndërsa te një tjetër është sekuestruar një shufër metalike me mbishkrim policie, që dyshohet se është përdorur gjatë sulmit.
Hetuesit kanë siguruar edhe një video të publikuar në rrjete sociale nga njëri prej të dyshuarve, ku shihet një armë që dyshohet të jetë përdorur në rast, por arma ende nuk është gjetur.Të tre të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të Prokurorit kujdestar janë ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprat penale: “Privim i kundërligjshëm nga liria”, “Lëndim i lehtë trupor”, “Kanosje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armës”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
