Tragjedi e dyfishtë në Malishevë – Dy vëllezër vriten nga dhëndrri gjatë të pames për babain e tyre

06.11.2025

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Gullbovc të Malishevës, ku dy vëllezër janë vrarë me armë zjarri para derës së shtëpisë së tyre.

Burime të portalit Sinjali bëjnë me dije se viktimat janë Driton Morina dhe Naim Morina, të cilët u qëlluan për vdekje në momentin kur familja e tyre ndodhej në ditë zie për humbjen e babait, i cili ishte varrosur vetëm pak ditë më parë.

Sipas raportimeve të para, personi i dyshuar për vrasjen është Astrit Isufi, bashkëshorti i motrës së viktimave. Mësohet se gruaja e tij kishte ardhur në shtëpinë e familjes Morina për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tyre.

Rrethanat e ngjarjes ende nuk janë bërë të qarta, ndërsa Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. Trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion, ndërsa forcat e rendit janë duke punuar në lokalizimin e të dyshuarit.

Kjo ngjarje e rëndë ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin e Malishevës, teksa banorët e zonës e kanë përshkruar rastin si “një tragjedi brenda një familjeje që po përjetonte dhimbje të dyfishtë”.