39 persona janë arrestuar në një aksion lidhur me dyshimet për mashtrime në Byronë Kosovare të Sigurimit.
Të enjten, Prokuroria Themelore në Prizren ka kryer një aksion që rezultoi me arrestimin e 39 personave nën dyshimet për mashtrime në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS). Në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave, Valon Berisha.
Gjatë një konference për media, kryeprokurori Petrit Kryeziu bëri të ditur se gjatë aksionit janë bllokuar gjithashtu para në vlerë mbi 1.3 milionë euro. Hetimet për këtë çështje, sipas Kryeziut, kanë nisur që në mars të vitit 2025, ndërsa target i tyre ka qenë 46 persona.
“Ky është një rast ku kemi urdhëresa për bastisjen e 47 shtëpive, përfshirë edhe një person juridik. Hetimet përqendrohen tek ish-drejtori ekzekutiv, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Financave, Valon Berisha, për keqpërdorime në BKS,” tha Kryeziu.
Sipas tij, ekziston dyshimi se Mazreku dhe Berisha, duke shfrytëzuar autorizimet e tyre, i kanë mundësuar vetes përfitime të mëdha dhe kanë shkaktuar dëme për Byronë mbi 1 milion euro, duke përdorur për këtë edhe persona të tjerë.
