Tentativë arratisjeje nga Stacioni Policor në Rahovec, arrestohet sërish i dyshuari
Një person i privuar nga liria ka tentuar të arratiset mbrëmjen e së enjtes nga Stacioni Policor në Rahovec, por është arrestuar sërish pas reagimit të shpejtë të njësive policore.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 21:00, i dyshuari – mashkull kosovar, i cili ndodhej në dhomat e ndalimit – ka përdorur forcë për të hapur derën e dhomës dhe ka dalë nga objekti i stacionit policor me qëllim arratisjeje.
Menjëherë pas incidentit, patrullat policore kanë ndërhyrë dhe kanë arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin, duke e kthyer atë sërish në Stacionin Policor të Rahovecit.
Pas arrestimit, i dyshuari është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa pas përfundimit të tretmanit është rikthyer në dhomat e ndalimit.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërkohë që nuk raportohet për persona të lënduar.