Shtetasi ukrainas arrestohet në Vërmicë, i ofroi 50 euro policisë për të kaluar kufirin

07.12.2024

Një shtetas i Ukrainës është arrestuar më datë 6 dhjetor në pikën kufitare të Vërmicës, pasi tentoi të korruptonte zyrtarët policorë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari, gjatë kontrollit të dokumenteve, u ka ofruar policëve një shumë prej 50 eurosh në këmbim të lejes për të kaluar në territorin e Kosovës.

“Shtetasi ukrainas, i cili nuk posedonte dokumentacionin e nevojshëm për të kaluar në Kosovë me automjet, i ka ofruar policëve një shumë prej 50 eurosh me qëllim që të lejohet kalimi”, thuhet në njoftim.

Pas këtij veprimi, i dyshuari është arrestuar menjëherë dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.