Arrestohet një person në Graçanicë, dyshohet se ofronte pensione sociale në këmbim të votës për Listën Srpska

05.06.2026

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.

Sipas Policisë, më 4 qershor rreth orës 19:30 është pranuar një informatë se një person në fshatin Uglarë të Graçanicës po përfshihej në aktivitete të paligjshme që lidhen me procesin zgjedhor.Hetimet kanë zbuluar dyshime se i arrestuari, një mashkull kosovar i nacionalitetit serb, kishte ftuar qytetarë në një lokal për t’i udhëzuar se si të votonin për subjektin politik Lista Srpska dhe kandidatët e saj.

Në këmbim të votës, ai dyshohet se u kishte premtuar përfitimin e pensioneve sociale nga shteti i Serbisë.Njësitë relevante të Policisë kanë kryer kontroll në lokalin ku dyshohet se zhvilloheshin aktivitetet dhe në shtëpinë e të dyshuarit, ku janë sekuestruar dëshmi që lidhen me rastin.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.