Shenja dhune vërehen gjatë kontrollës mjekësore te një grua në Malishevë, policia hap rastin

06.11.2025

Një rast i pazakontë është raportuar në Malishevë, ku gjatë një vizite mjekësore te një grua janë vërejtur disa hematoma të lehta në trupin e saj.

Ngjarja është bërë e ditur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, rasti ka ndodhur më 4 nëntor 2025. Gjatë kontrollit mjekësor, mjekët kanë vërejtur shenja që mund të jenë pasojë e dhunës, por viktima – një femër kosovare – ka refuzuar të japë deklaratë lidhur me ndonjë problem dhe ka thënë se “nuk ka telashe me askënd”.

Pavarësisht refuzimit të saj për të raportuar ndonjë incident, me urdhër të prokurorit kompetent, është iniciuar rasti dhe lënda do të procedohet në procedurë të rregullt.

Autoritetet nuk kanë dhënë më shumë detaje për identitetin e gruas apo rrethanat në të cilat janë vërejtur shenjat e lëndimeve, ndërsa hetimet pritet të vazhdojnë për të sqaruar nëse bëhet fjalë për dhunë apo ndonjë tjetër shkak mjekësor.