Sekuestrohen 5 kilogramë marihuanë në Gjakovë, arrestohet një person i dyshuar

08.10.2025

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për veprën “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Gjakovë ka kryer një operacion të suksesshëm më 8 tetor 2025, duke sekuestruar 5 kilogramë marihuanë dhe arrestuar një person të dyshuar për veprën penale të blerjes dhe shitjes së substancave narkotike.

Pas marrjes së informatave se një mashkull kosovar ishte duke kryer aktivitet të paligjshëm lidhur me narkotikët, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në bashkëpunim me stacionin policor të Gjakovës ndërmori veprime operative dhe hetimore të menjëhershme.

Me urdhër verbal për kontroll dhe në konsultim me prokurorin kompetent, është kryer kontroll në pronën e të dyshuarit. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:

  • 5043 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë
  • 40 euro në para cash
  • 1 telefon mobil

Personi i dyshuar është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij është inicuar procedurë penale për veprën “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Policia e Kosovës vazhdon punën për luftimin e trafikut të narkotikëve dhe mbrojtjen e komunitetit nga veprimtaria kriminale.