Prizren, arrestohet 40-vjeçari për dhunë në familje, i gjenden tri armë dhe 188 fishekë në shtëpi
Policia e Kosovës ka konfiskuar tri armë zjarri dhe 188 fishekë në shtëpinë e një 40-vjeçari të arrestuar për dhunë në familje dhe lëndim të lehtë trupor.
I dyshuari, S.M., u arrestua më 3 mars 2025 dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.
Kontrolli në shtëpinë e tij u krye më 13 mars 2025, pas informacioneve të marra nga hetuesit e stacionit policor në Prizren se ai posedonte armë të kundërligjshme. Gjatë kontrollit, të autorizuar nga një urdhëresë, policia gjeti dhe konfiskoi:
- Një pushkë gjuetie me 20 fishekë
- Një pistoletë Ekoll special 99 me 20 fishekë
- Një pistoletë M57 me 48 fishekë
- Një gëzhojë
- 100 fishekë të tjerë
- Një shufër me hapje
- Një thikë me gjatësi tehu 21 cm
“I dyshuari i rastit, S.M., mashkull 40-vjeçar, është arrestuar me datë 03.03.2025 për veprën penale Lëndim i Lehtë Trupor (Dhunë në Familje) dhe i njëjti ndodhet në paraburgim,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Për realizimin e urdhër-kontrollit është njoftuar Prokurori i Shtetit. Hetimet kanë filluar edhe për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armës.