Policia konfiskon armë gjahu në Rahovec – pronari nuk kishte rinovuar lejen

10.11.2025

Një armë gjahu është konfiskuar dje në fshatin Pastasel, komunë e Rahovecit, pasi pronari i saj nuk kishte rinovuar lejen e posedimit, e cila datonte nga periudha e administrimit të UNMIK-ut.

Sipas burimeve nga strukturat policore, më 9 nëntor 2025, rreth orës 18:30, gjatë intervistimit të S. K. lidhur me një rast të raportuar për dhunë në familje, i dyshuari kishte deklaruar vullnetarisht se posedonte një armë gjahu me leje të vjetër.

Ai ka sqaruar se arma ishte regjistruar në vitin 2003, gjatë periudhës së administrimit nga UNMIK-u, por leja nuk ishte rinovuar pas skadimit të afatit ligjor.

Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, është urdhëruar që arma, e tipit “Cifsan”, kalibër 12 mm, të konfiskohet, ndërsa i dyshuari u lirua pas intervistës.

Rreth orës 19:20, njësitë policore së bashku me krim-teknikën e Stacionit Policor të Rahovecit kanë dalë në shtëpinë e të dyshuarit, ku arma është gjetur dhe sekuestruar në objektin përcjellës.

Aktualisht, arma ndodhet në dhomën e dëshmive të Stacionit Policor, ndërsa rasti është regjistruar si: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.