Policia e Kosovës sekuestron arsenal armësh dhe uniformash në Leposaviq, dyshohet për aktivitet të “Mbrojtjes Civile”

28.02.2025

Policia e Kosovës ka zbuluar një arsenal të konsiderueshëm municioni dhe uniformash të ndryshme në fshatin Rodel të komunës së Leposaviqit, në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi.

Aksioni, i cili u bë i ditur në një konferencë për media në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut, drejtuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ngre shqetësime serioze mbi aktivitetin e mundshëm të strukturave paralele në veri të vendit.

Ministri Sveçla theksoi se pajisjet e zbuluara dëshmojnë se strukturat paralele të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” vazhdojnë të jenë aktive në territorin e Republikës së Kosovës. “Falë informacioneve operative, Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion, ku janë zbuluar uniforma të ndryshme, pajisje ushtarake, armë dhe municion të ndryshëm, por edhe dokumentacione indoktrinuese që dëshmojnë se strukturat paralele ‘Civilna Zastita’ (Mbrojtja Civile) vazhdon të jetë aktive në territorin e Republikës së Kosovës,” deklaroi Sveçla.

Ai shtoi se institucionet e sigurisë së Kosovës po zhvillojnë vazhdimisht aksione për të siguruar rendin dhe ligjin në çdo pjesë të vendit, duke synuar që Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera t’u shërbejnë qytetarëve pa dallim. Sveçla akuzoi Serbinë për strehimin e Milan Radojçiqit, të cilin e konsideroi “kupola e gjithë këtij organizimi”. Ai u bëri thirrje anëtarëve të grupeve të dyshuara terroriste të dorëzohen dhe të dorëzojnë pajisjet luftarake, duke paralajmëruar se ata që kanë shkelur ligjin do të përballen me drejtësinë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, detajoi materialet e sekuestruara, duke përfshirë armë zjarri, municione të ndryshme, uniforma ushtarake, pajisje për vëzhgim dhe dokumentacion. Ai theksoi se në mesin e uniformave të sekuestruara ishte edhe një uniformë e “Mbrojtjes Civile”, organizatë e shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës vitin e kaluar. “Kjo tregon se kemi akoma mbetje aktive të kësaj organizate që tentojnë të prishin dhe minojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës,” tha Hoxha.

Ai njoftoi se një person është shoqëruar në stacionin policor për intervistim dhe se aksioni është ende në vazhdim, me informacione për armë të tjera të fshehura në zonë.