Policia e Kosovës dhe UNDP mbajnë trajnime për kontrollin efikas të armëve të vogla dhe të lehta

para 14 dite

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Programin për Siguri (KSSP) të UNDP-së në Kosovë, ka organizuar një seri trajnimesh me qëllim promovimin e paqes së qëndrueshme dhe forcimin e kontrolleve mbi armët e vogla dhe të lehta (SALW).

Policia e Kosovës dhe UNDP mbajnë trajnime për kontrollin efikas të armëve të vogla dhe të lehta

Trajnimet u zhvilluan në Drejtoritë Rajonale të Policisë në Prishtinë, Ferizaj dhe Pejë, duke mbledhur 240 pjesëmarrës, përfshirë 56 gra dhe 184 burra, që përfshinin zyrtarë të Policisë në Bashkësi, anëtarë të Komiteteve Lokale të Sigurisë Publike (KLSP) dhe Këshillave Komunalë për Siguri në Bashkësi (KKSB).

Pjesëmarrësit e trajnuar u njohën me rolin e policimit në bashkësi dhe mënyrën se si ky i fundit është i lidhur ngushtë me policimin e udhëhequr nga inteligjenca, veçanërisht në menaxhimin e armëve të vogla dhe të lehta. Sesionet trajnuese gjithashtu trajtuan kornizën ligjore dhe ndërkombëtare që rregullon kontrollin e armëve dhe eksplozivëve, përfshirë armët e konvertuara dhe njohjen e pjesëve të armëve, eksplozivëve dhe eksplozivëve artizanalë. Po ashtu, një vëmendje e veçantë iu dha parandalimit të keqpërdorimit të armëve në rastet e dhunës në familje.

Këto sesione trajnuese kishin një fokus të veçantë në ndihmën për ndërtimin e kapaciteteve të zyrtarëve të zbatimit të ligjit dhe përmirësimin e bashkëpunimit midis anëtarëve të komunitetit dhe autoriteteve të sigurisë. Ato u zhvilluan me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit mbi rreziqet që lidhen me armët e vogla dhe të lehta, si dhe nxitjen e një bashkëpunimi më të ngushtë midis pjesëmarrësve dhe forcave të rendit.


Po ashtu këto sesione trajnuese janë mundësuar falë mbështetjes financiare nga Gjermania, Suedia, Holanda, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia përmes Fondit të Mirëbesimit MPTF, dhe janë mbështetur nga Bashkimi Evropian, i cili ka kontribuar në zbatimin e udhërrëfyesit rajonal për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor.

Etiketat