Armë pa leje në veturë në Prizren, i dyshuari përfundon në ndalim 48 orësh
Një rast i mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve është zbuluar pasditen e 17 dhjetorit 2025 në rrugën “Ibrahim Rugova” në Prizren.
Foto: Ilustrim
Bëhet e ditur se rreth orës 16:00, gjatë patrullimit të rregullt, njësitet policore kanë ndaluar për kontroll një automjet, të cilin e drejtonte N.K.
Gjatë kontrollit të veturës, në sirtarin nga ana e pasagjerit, policia ka gjetur një armë zjarri – pistoletë e prodhimit “Zastava”, e pajisur me karikator, por pa fishekë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesi kujdestar dhe ekipi i krim-teknikës, të cilët e kanë sekuestruar armën në cilësinë e provës materiale.
Fillimisht, pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar dhe i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Megjithatë, pas ri-konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.
Sipas informacioneve të Gazetës Sinjali, i dyshuari aktualisht po mbahet në Qendrën e Mbajtjes, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejme.
Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim.