Kanosje me armë për shkak të bagëtive që hynin në oborr – arrestohet një person në Guriqë të Malishevës

12.12.2025

Një ngjarje serioze që përfshin përdorimin e armës së zjarrit dhe kanosje për jetë është raportuar në fshatin Guriqë të Malishevës, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë dhe Prokurorisë.

Ngjarja ka ndodhur më 11 dhjetor 2025, rreth orës 15:00, kur ankuesi J. M. ka raportuar në Stacionin Policor Malishevë se kishte pasur një konflikt me një bashkëfshatar. Sipas deklarimit, gjatë lëshimit të disa bagëtive, këto kishin hyrë në oborrin e të dyshuarit R.M.

Në këto rrethana, i dyshuari dyshohet se ka marrë një pushkë gjuetie të llojit “Hawk” dhe ka shtënë një herë në ajër, duke frikësuar dhe kanosur ankuesin për jetë, ndërsa paralajmëroi se nëse bagëtitë hyjnë sërish në oborrin e tij, do të përballet me pasoja.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, ndërsa njësitë policore kanë shkuar në shtëpinë e të dyshuarit. Me pëlqimin e tij, i dyshuari ka dorëzuar armën, një pushkë gjuetie, si dhe një gëzhojë të kalibrit 12 GA dhe 18 fishekë të po këtij kalibri.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti është inicuar për veprat penale:

  • “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”;
  • “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”;
  • “Kanosje”.

Hetimet lidhur me këtë rast janë ende në vazhdim, ndërsa Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë garantuar ndjekjen e çdo procedure ligjore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.